Subscribe

Kryetarit të PD, të grupimit të ish-kryeministrit Sali Berisha në Vaun e Dejës, i është bërë atentat mëngjesin e kësaj të marte.

 

Disa persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi tritoli në pjesën e përparme të automjetit të Bernard Ndrecës, që ishte para oborrit të shtëpisë.

 

Shpërthimi ka ndodhur në momentin që Ndreca ka hipur në automjet. Fillimisht ai ka ndezur makinën dhe ka dalë nga mjeti, dhe sapo është kthyer për t’u futur sërish në automjet, lënda plasëse është aktivizuar.

 

Fatmirësisht Ndreca nuk është lënduar, ndërsa nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale.

 

Për ngjarjen ende nuk ka emra autorësh, por pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar dy persona, që kanë bërë lëvizje të dyshimta pak para se të shpërthente tritoli në makinën e Ndrecës.

 

Ndërkohë grupi i ekspertëve po kryen të gjitha analizat e nevojshme të automjetit të dëmtuar.

 

Në banesën e kreut të PD, në Vaun e Dejës, mbërriti edhe kandidati për kryetar bashkie, Zef Hila si dhe deputetja Greta Bardeli.

 

Njoftimi i plotë:

 

Vau i Dejës/Informacion paraprak

 

Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

 

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

 

Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

 

Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme  materiale.

 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *