E mbushur me drogë dhe eksploziv, shpërthen çanta në qendër të Athinës! Katër të plagosur, mes tyre dy policë

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur këtë të mërkurë në një apartament në qendër të Athinës.
Mediat helene raportojnë se si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të palgosur katër persona, mes tyre dy efektivë policie.
Siaps asaj që raportohet në media administratori i pallatit kishte telefonuar policinë për të njoftuar se në hyrje të ndërtesës ishte lënë një çantë që përmbante drogë, duke kërkuar që efektivët të shkonin për ta marrë.
Dy policët që mbërritën në vendngjarje hapën çantën dhe, sipas dëshmisë fillestare të njërit prej tyre, gjetën materiale që dukeshin si drogë, një peshore dhe disa pilula.
Në rrethana ende të paqarta, një mjet shpërthyes i improvizuar që dyshohet se ndodhej brenda çantës shpërtheu, duke plagosur katër persona.
Mes të plagosurve është edhe administratori i pallatit. Të katërt u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej policëve pësoi dëmtime më të rënda.
Në hetime pritet të përfshihen edhe efektivët e njësisë antiterrorizëm. Fillimisht u ngritën dyshime se mund të bëhej fjalë për një kurth të ngritur ndaj policisë, por këto dyshime më pas u zbehën.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 18 zjarrfikës me gjashtë automjete zjarrfikëse.




