Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës në datën 9 nëntor. Me 8 vota pro dhe asnjë kundër, gjyqtarët vendosën si masë sigurie pezullimin e dekretit të kreut të shtetit për zgjedhjet në Tiranë.
Deputeti i PL, Tedi Blushi, i ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus, pohoi se mbrojtja e Kushtetutës është shumë e rëndësishme për shtetin.
Blushi nënvizoi se Ilir Meta është presidenti i fundit që ka kryer një shërbim të lartë, duke shprehur kështu kritika ndaj Presidentit aktual, Bajram Begaj.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si e shihni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm si deputet, por edhe duke u bazuar te eksperienca në Presidencë dhe konflikti që keni pasur me gjyqësorin në atë kohë?
Blushi: I vetmi konflikt i Presidencës në atë kohë ka qenë me mazhorancën, pavarësisht se kush ishin përfaqësuesit e saj. I vetmi konflikt ka qenë mbrojtja e Kushtetutës, për të cilën Meta thirri edhe popullin, dhe mbrojtje që është certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias dhe të gjitha institucionet që faktuan se interesi më i lartë dhe detyra më e rëndësishme e kreut të shtetit është mbrojtja e Kushtetutës. Qëndrime shumë të drejta të Metës në raport me Kushtetutën. Më vjen keq ta them që ndoshta është presidenti i fundit që kreu një shërbim të lartë.
Borakaj: E mbështesni vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Blushi: Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shtet se mbrojtja e Kushtetutës. Ajo që të vjen keq, është fakti që me këtë dekret faktohet se edhe kështjella e fundit e mbrojtjes së interesit kombëtar, për fat të keq, ka rënë.
/vizionplus.tv





