Perëndimi pritet të shtojë presionin ndaj Serbisë për të njohur Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se ekziston mundësia që Kosova të pranohet në NATO, çka sipas tij do të detyronte edhe vendet e tjera ta njihnin si shtet të pavarur.

 

ALEKSANDER VUÇIÇ

PRESIDENT I SERBISE

“Kemi gjithnjë e më shumë të dërguar special, duke u nisur nga Escobar e deri te Stuart. Të gjithë po dërgojnë zyrtarë të posaçëm për dialogun, por asnjëri nuk do që Rusia të ndërhyjë në negociatat me Kosovën. Vetëm ne e dimë se me çfarë presionesh po përballemi. Të gjithë po përpiqen ta detyrojnë Serbinë të njohë Kosovën. Pres që dikush të mendojë ta përfshijë Kosovën në NATO dhe kështu të detyrojnë të gjithë shtetet e BE-së ta njohin pavarësinë dhe në këtë mënyrë të na detyrojnë ta pranojmë edhe në atë”

 

Megjithatë,Vuçiç ka hedhur poshtë mundësinë që Serbia të njohë Kosovën.

 

“Serbia nuk do ta pranojë kurrë këtë pavarësisht presioneve. Mos harroni se unë refuzova njohjen e ndërsjellë në mes të Uashingtonit. Ishte gjëja më e vështirë, të refuzosh njohjen në mes të SHBA.”

 

Presidenti Vuçiç ka komentuar edhe deklaratat e kancelarit gjerman, sipas të cilit NATO ka ndaluar gjenocidin serb në Kosovë, duke i quajtur të papranueshme akuzat. Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj Beogradit që t’i hapë arkivat. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kurti është shprehur se krimet e luftës të kryera nga Serbia ishin krime shtetërore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *