Një zëdhënës i Kremlinit nuk pranoi të komentonte kur u pyet nëse Rusia po ndihmonte Korenë e Veriut të zhvillonte raketat e saj dhe teknologji të tjera ushtarake pasi Pheniani testoi një raketë balistike ndërkontinentale.
Koreja e Veriut tha se kishte testuar një raketë, duke përmirësuar atë që e quajti “arma strategjike më e fuqishme në botë”, pasi Seuli paralajmëroi se Pheniani mund të merrte teknologji raketore nga Rusia për ndihmë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO thonë se trupat e Koresë së Veriut janë në rajonin e Kurskut, një rajon kufitar rus i pushtuar nga forcat ukrainase në gusht dhe ku ata ende mbajnë terren..
Moska as nuk e ka mohuar dhe as ka konfirmuar drejtpërdrejt praninë e trupave të Koresë së Veriut në tokën e saj, me presidentin Vladimir Putin duke thënë se është punë e Rusisë nëse do të përdorë apo jo trupat e Koresë së Veriut.
I pyetur gjatë një konference nëse Moska po ndihmonte Korenë e Veriut me raketa ose teknologji të tjera ushtarake, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve: “Unë nuk e kam atë informacion, është informacion i veçantë dhe ju duhet të pyesni Ministrinë e Mbrojtjes”.
Peskov iu referua rëndësisë së një partneriteti strategjik gjithëpërfshirës, duke përfshirë një klauzolë të ndihmës së ndërsjellë të mbrojtjes, të nënshkruar nga Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un gjatë vizitës së liderit rus në Phenian në qershor./vizionplus.tv





