Dy konkurrentë të tjerë iu bashkuan grupit të finalistëve të spektaklit “Albania’s Got Talent” në gjysmëfinalen e tretë të transmetuar mbrëmjen e së hënës në ekranin e “Vizion Plus.”
Bateristi Roan Bejleri dhe grupi i grave Teuta u bënë finalistët e radhës që do të garojnë për të qenë fitues.
Mbrëmja nisi me akrobatet e vogla, Lulën dhe Ajlën të cilat elektrizuan skenën duke përcjellë vlera të vërteta të artit shqiptar.
E ndjekur nga turkja Derin Pelhivan që sërish vendosi të befasonte jurinë duke treguar forcën e zërit të saj.
Mes dhjetë talenteve të mbrëmjes sigurisht që ra në sy prestigjatori Klesti Koxha. Jo vetëm që vuri jurinë në vështirësi, por dëshmoi se shkathtësia e tij për të kryer iluzione shkon përtej imagjinatës.
Arti ishte në qendër të kësaj nate, e ai bëhet më i bukur kur sillet shqip. Ilisea Ndreu me zërin e saj tregoi edhe njëherë rëndësinë e ruajtjes së rrënjëve veçanërisht nga të rinjtë.
Të ndodhur përballë dilemash dhe vështirësish Agron Llakajt, Adelina Ismajlit, Elsa Lilës dhe Kastro Zizos ju desh që edhe në këtë gjysmëfinale të ishin të drejtpërdrejtë me komentet e tyre për të dhjetë konkurrentët. Teksa u treguan të kujdesshëm për t’i treguar gjithkujt se ky rrugëtim është vetëm fillimi i një ëndrre të madhe pavarësisht se vetëm dy prej tyre do të vijonin rrugëtimin drejt finales.
Emocionet sa vijnë e shtohen teksa ka mbetur edhe një natë gjysmëfinale. Ndaj për të mos humbur se cilët do të jenë 2 finalistët e fundit “Albania’s Got Talent” ju fton të hënë e ardhshme në orën 21.00 vetëm në ekranin e “Vizion Plus”.





