Subscribe

Sot u mblodh këshilli i emërimeve në drejtësi, mbledhje në të cilën nuk mori pjesë Ardian Dvorani edhe pse ai vetë gjykon se duhet të jetë anëtar i KED.

Në një letër për Vitore Tushën, gjyqtaren kushtetuese që ka marrë funksionet drejtuese në këshillin e emërimeve në drejtësi, Dvorani argumenton se largimi nga gjykata e lartë nuk sjell automatikisht edhe largimin nga ky këshill.

Gjyqtari sjell në vëmendje se as kushtetuta dhe as ligji për këshillin e emërimeve nuk kanë parashikime specifike  për situata të tilla.

ARDIAN DVORANI

GJYQTAR

“Nuk ka asnjë rregullim konkret dhe të shprehur edhe në këtë ligj, në lidhje me rastet kur anëtarë dhe anëtarë zëvendësues të KED, gjatë vitit kalendarik ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit nga Presidenti i Republikës”

Për shkak të këtij boshllëku ligjor Dvorani gjykon se pavarësisht se tashmë është gjyqtar në gjykatën administrative të apelit, ai duhet të vazhdojë të qëndrojë si anëtar i këshillit të emërimeve duke i kërkuar këtij institucioni të marrë vendimin final.

“Pas lëvizjes në detyrë nga Gjykata e Lartë dhe caktimit si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, unë kam vlerësimin se është e rregullt vijimi i qenies në përbërje dhe pjesëmarrja ime si anëtar i Këshillit në mbledhjet dhe veprimtaritë e KED 2020.”

Në 5 dhjetorin e 2019 Ardian Dvorani u zgjodh anëtar dhe kryetar i këshillit të emërimeve në drejtësi si përfaqësues i gjykatës së lartë. Në 11 qershor të këtij viti, pas një kërkese të presidentit Ilir Meta këshilli i lartë gjyqësor vendosi se Dvorani duhej të largohej nga gjykata e lartë pasi i kishte mbaruar mandati.

Pas këtij vendimi Dvorani u largua edhe nga posti drejtues i këshillit të emërimeve në drejtësi por jo si anëtar i tij. Edhe pse ligji nuk ka asnjë parashikim specifik për situata të tilla, ka një precedent; Arta Marku qëndroi në këshill pavarësisht se nuk ishte më prokurore e përgjithshme.

Kundër Dvoranit ka pasur kritika të ashpra nga presidenti i republikës Ilir Meta dhe nga partia demokratike; për më tepër Meta e paditi në Spak Dvoranin në lidhje me punën e tij si kryetar i këshillit të emërimeve në drejtësi dhe procesin e renditjes e vlerësimit të anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

Këshilli i emërimeve në drejtësi është institucioni kyç në procesin e ngritjes se gjykatës kushtetuese, pasi ai përcakton 3 kandidatet mes të cilëve presidenti e parlamenti mund të zgjedhin një anëtar në këtë gjykatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *