Durrës, vendoset busti i Fan Nolit

Busti i Fan Nolit është vendosur përpara kishës ortodokse Shën Asti dhe Apostull Pavli në qytetin e Durrësit. Në një ceremoni jo shumë dinjitoze për figurën e shquar të kombit shqiptar, kanë marrë pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, kishës ortodokse si dhe përfaqësues të shoqatës “Foleja Kombëtare Shqiptare”. Kryetarja e kësaj shoqate Elida Jorgoni akuzon kishën se nuk lejoi vendosjen e bustit brenda territorit të saj.
Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe qytetarët që kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni.
Pas ceremonisë për zbulimin e bustit me autor skulptorin Idriz Balani, të pranishmit kanë marrë pjesë në një ceremoni tjetër ku nga bashkia është dorëzuar titulli Qytetar Nderi për themeluesin e kishës autoqefale shqiptare Theofan Stilian Noli. Konflikti për vendosjen e bustit mes kishës ortodokse në Durrës dhe shoqatës Foleja Kombëtare Shqiptare ka nisur dy vite më parë, kur shoqata në fjalë tentoi ta vendoset bustin brenda kishës me rastin e 101 vjetorit të meshës së parë në gjuhën shqipe e mbajtur në kishën e Shën Spiridonit, por nuk u lejua nga drejtuesit e saj. Nga ana tjetër burime nga kisha ortodokse Durrës kanë bërë të ditur se vendi ku u vendos sot busti i Fan Noli është pjesë e kësaj kishe dhe u dhurua pikërisht për këtë qëllim, vendosjen e bustit.




