Një ngjarje e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin Durrës–Tiranë, ku dy persona të armatosur, pasi vodhën një automjet, e përdorën për të kryer një grabitje me dhunë në një karburant në Sukth.
Policia e Durrësit u vu menjëherë në ndjekje të automjetit të vjedhur, i cili u konstatua në lëvizje me shpejtësi në drejtim të Tiranës. Për mbështetje u njoftuan edhe shërbimet e DVP Tiranë. Gjatë ndjekjes, rreth orës 01:00, tek mbikalimi në rrugën dytësore që të çon drejt Shijakut, mjeti doli nga rruga. Nga brenda tij, autorët hapën zjarr ndaj efektivëve, të cilët u detyruan të kundërpërgjigjen në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, mbeti i plagosur njëri prej autorëve, shtetasi A. D., 28 vjeç, banues në Bilalas, Shijak. Ai u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori tjetër, L. Ç., 27 vjeç, po ashtu nga Bilalasi i Shijakut, pas rezistencës me armë ndaj punonjësve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.
Në vendngjarje u sekuestrua një armë automatike tip kallashnikov me dy krehra fishekësh, e përdorur nga autorët gjatë rezistencës.
Aktualisht, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.





