Kreu i SPAK, Altin Dumani krahas punës së institucionit që ai drejton ka adresuar nga foltorja e Kuvendit edhe problematikat që kjo hallkë e rëndësishme e drejtësisë në vend has.

 

Problemi kryesor sipas Dumanit janë çështjet e mbartura, gjë e cila vështirëson punën e Prokurorëve.

 

“Prezantoj disa nga problematikat e Prokurorisë së Posaçme. Problematika më e madhe që lidhet me institucionin tonë është numri i madh i procedimeve të mbartura, që janë të mbartura në vite. Ngelet që ky vit, nga fillimi dhe 6 muajt në vijim mbetet që Prokurorët të fokusojnë energjitë e tyre tek çështjet të mbartura pasi kjo ngarkesë është shqetësuese dhe duhet patjetër të japim zgjidhje”, tha ai.

 

Problem mbetet dhe infrastruktura, përmes së cilës sipas tij është e vështirë të përballohet puna voluminoze që ky institucion ka.

 

“Në 2022 kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës pais ne kemi punuar në ambiente të vogla 3-4 hetues në një zyrë, gjithashtu në administratë shumë veta në një zyrë në pamundësi për të ushtruar në normalitet funksionet e institucionit, por mund të konsiderohet e mbyllur pasi  me vendim të Këshillit të Ministrave SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës që aktualisht ushtrojmë funksionet dhe përmbush më së miri funksionet e SPAK, Byrosë Kombëtare të Hetimit apo administrate”, tha Dumani.

 

Mungesa e marrëveshjes së ekstradimit të shtetit tonë me Emiratet e Bashkuara është një ndër problemet që Dumani përmendi, teksa ky shtet njihet si “foleja e kokave të grupeve kriminale”.

 

“Problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një problematikë e cila ka vënë në vështirësi hetimet sa i takon përballjes së autorit të veprës penale me sallën e gjyqit. Procedurat e ekstradimit vazhdojë dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë refuzim, Por s’kemi asnjë të ekstraduar nga Emiratat e Bashkuara Arabe”, tha ai.

 

Gjithashtu Dumani thekson se niveli i pagave për ekspertët është i ulët, ndaj ky institucion mund të përballjet me ikjen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *