Dumani me studentët në Universitetin e Durrësit: Pa drejtësi s’mund të ketë paqe, ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar
Në kuadër të Konferencës së 8-të Shkencore Ndërkombëtare, e mbajtur në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Altin Dumani, Kryeprokuror i Posaçëm i Pushtetit të Pavarur të Akuzës (SPAK), theksoi rëndësinë e vazhdimit të komunikimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm. Ai shtoi se reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime thelbësore kushtetuese dhe ka qenë një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dumani theksoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe se, pa llogaridhënie, nuk mund të ketë demokraci. Ai e cilësoi SPAK-un si një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, duke theksuar se ky institucion po punon me vendosmëri për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Në përfundim, ai e pranoi se ende ka shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar dhe theksoi angazhimin për një sistem drejtësie të paanshëm dhe të drejtë.
Dumani:
“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por prania ime sot është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera, me qëllim vazhdimin e komunikimit tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci.
Reforma në drejtësi u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ai është një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo me objektet e caktuara të hetimit.
Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm”.
/vizionplus.tv




