Dudushi: Në protestë ka hile dhe naivitet politik

Gazetari Alban Dudushi ka analizuar situatën politike, protestën dhe përplasjet që po ndodhin në Shqipëri prej 8 ditësh tashmë.
I ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, Dudushi tha se që nga protesta e flamingove duhet të kishte dalë një përfaqësi politike, e cila nuk doli as atëherë dhe nuk po del as sot.
Sipas tij, në protestë ka hile dhe naivitet. Pas hiles, sipas tij, qëndrojnë ata që fërkojnë duart dhe kërkojnë kredo politike. Po ashtu, ka edhe të tjerë që thonë: “Protestoni, se nuk ka çfarë ju duhet përfaqësimi”.
Pjesë nga biseda:
Dudushi: Kur vjen puna te protesta dhe te ajo çfarë ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe, e tha pedagogia: ishin 4 muaj protestë e flamingove, nuk morëm përgjigje aty, do ta bëjmë më të fortë protestën. Po të shikoni edhe në periudhën e protestave të flamingove, në ditën e tretë ose të katërt të protestës, kam qenë me pedagogët ambientalistë, ku kam thënë se kjo protestë duhet të vazhdojë aq shumë, për të krijuar pjekuri politike. Nuk arriti për 4 muaj të krijojë këtë realitet të ri politik, pasi ka një shtresë të shumtë njerëzish që ndihen të papërfaqësuar. Është kjo masë njerëzish që ka dalë në shesh dhe është pa përfaqësim, prandaj protesta krijon tribunët e saj. Kjo nuk ndodhi as gjatë 4 muajve të protestës së flamingove, por po e pengojnë edhe tani.
Këtu ka hile të mëdha nga ato parti që i rrinë vërdallë protestës dhe shpresojnë që nëpërmjet saj do të marrin kredite politike. Nga ana tjetër, janë të gjithë ata që i bien shpatullave dhe thonë: “Vazhdoni siç e keni”. Të gjithë ata që thonë: “Të bjerë njëherë Rama, po ra ai, e marrim ne”. Askush nga ata nuk thotë se ne mund të përballemi me Edi Ramën apo të ulemi në tavolinë. Me kë flet tani?




