Këngëtarja me famë botërore dhe origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka konfirmuar zyrtarisht fejesën me të dashurin e saj, aktorin britanik Callum Turner. Në një intervistë të fundit për British Vogue, ylli 30-vjeçar u shpreh e emocionuar për këtë hap të rëndësishëm në jetën e saj personale.
“Po, jemi fejuar. Është shumë emocionuese”, tha Lipa, duke zbuluar se unaza e fejesës ishte dizenjuar me kujdes pasi Turner kishte kërkuar ndihmën e motrës dhe shoqeve të saj më të afërta. “Jam shumë e emocionuar. Është një ndjesi e veçantë kur e kupton që njeriu me të cilin dëshiron të kalosh jetën të njeh aq mirë.”
Aktualisht, çifti po shijon periudhën e fejesës pa ndonjë presion për organizimin e dasmës. “Dua të përfundoj turneun tim. Calum sapo është kthyer, kështu që thjesht po e shijojmë këtë kohë,” tha këngëtarja, duke shtuar se ndonëse nuk kishte ëndërruar kurrë për martesën, tani e gjen veten duke menduar për ditën e madhe: “Papritur them: ‘Oh, çfarë do të vesh?’”
Dua Lipa theksoi se pas fejesës, ndjeu më qartë peshën e këtij vendimi: “Është vendimi për të ndarë jetën me dikë, për të plakur bashkë, për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë – është një ndjesi shumë e veçantë.”
Romanca e tyre u bë publike në janar 2024, kur u panë së bashku në një festë pas premierës së serialit Masters of the Air në Londër, ku Turner luan një nga rolet kryesore. Që prej asaj kohe, çifti është parë shpesh në evente dhe darka publike, ndërsa në korrik të vitit të kaluar, Lipa e bëri lidhjen zyrtare në Instagram me disa foto nga festivali Glastonbury.
Lajmi për fejesën ka ngjallur interes të madh në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, duke e kthyer çiftin në një nga më të komentuarit e momentit.
/vizionplus.tv





