Tre persona janë arrestura këtë të premte.
Të arrestuarit ishin duke marrë pakot me rreth 1.6 kg lëndë narkotike në degë postare në Tiranë dhe në Shkodër.
Aslian Peza dhe Andi Xhelili u kapën në një degë postare në kryeqytet, ndërsa Mateos Hoxha u arrestua në flagrancë në Shkodër.
“Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur për disa muaj, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, u finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas, Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, operacionet policore antidrogë, të koduara “Pako 1” dhe “Pako 2”.
1. Gjatë operacionit “Pako 1”, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 24 vjeç dhe A. Xh., 55 vjeç, duke marrë në një degë postare në Tiranë, një pako me rreth 522 gramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi B. F., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
2. Gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 19 vjeç, duke marrë në një degë postare në Shkodër, një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga ShBA. Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi G. P., 23 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





