Droga e kapur në Greqi dyshohet se u nis nga Vlora
Autoritetet greke publikuan foto dhe video të sekuestrimit të më shumë se një ton kanabisi të hënën në mesditë në një shpellë në Piperi, pranë ishullit Alonissos në Greqi. Siç u bë e ditur në një prezantim zyrtar të policisë greke, një rrjet ndërkombëtar i trafikantëve të drogës vinte nga Shqipëria nëpërmjet Greqisë me destinacion Turqinë dhe anasjelltas.
Sasia e drogës së sekuestruar është 1,172 kg kanabis , i papërpunuar, ndërkohë autoritetet greke kanë arrestuar katër persona, mes tyre dhe shtetet të huaj dhe kanë sekuestruar dy motoskafë.
Policia greke dhe roja bregdetare kishte sinjale ditë më parë për mjetet lundruese të cilët do të transportonin drogë në brigjet turke. Operacioni u organizua nga Rojet Bregdetare që përfshin dhjetë anije patrullimi, një helikopter dhe një aeroplan .
Sipas informacioneve të para droga u fsheh në shpellë për shkak të vonesës për të mbërritur në destinacion.
Sipas policisë greke trafikantët transportonin kanabis nga Shqipëria në Turqi dhe më pas merrnin heroinë duke e sjellë në Shqipëri. policia ka publikuar edhe hartën e itinerarit të drogës. Sipas saj është nisur me motoskaf nga Vlora në datë 24 shtator.
Dy bashkëpunëtorë të tjerë në këtë rrjet kriminal janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim.
E pyetur nga Vizion Plus, policia shqiptare mohon qe droga të ketë patur origjinë Shqipërinë, duke thënë se këto janë vetëm pretendime mediatike, ndonëse këtë radhë deklarata është zyrtare nga policia greke.




