E diel, 27 Shtator 2026 Zilia deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

VIDEO/ Drifte e manovra të rrezikshme me makinë, ndëshkohet i riu në Shëngjin

Një i ri 24-vjeçar është ndëshkuar nga Policia Rrugore e Lezhës, pasi kreu manovra të rrezikshme me automjet në zonën turistike të Shëngjinit, duke rrezikuar sigurinë rrugore dhe duke prishur qetësinë publike.

Ngjarja u bë publike pas publikimit të një videoje në platformën “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, ku shfaqej një automjet tip “BMW” duke lëvizur në mënyrë të rrezikshme. Pas verifikimeve të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore, u identifikua drejtuesi i mjetit, shtetasi E. B., 24 vjeç.

Në bazë të nenit 139 të Kodit Rrugor, ai u ndëshkua me një gjobë administrative prej 40.000 lekësh. Gjithashtu, ndaj tij ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për hetime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Lezhës ka falënderuar median dhe qytetarët për kontributin në identifikimin dhe denoncimin e rasteve të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se reagimi do të jetë gjithmonë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

Vazhdo të lexosh