Subscribe

Lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi sërish Kryeministrin Edi Rama për veprime kundër interesit të Kosovës. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha përsëriti se drafti për asociacionin e komunave me shumicë serbe është shkruar në Beograd, duke theksuar se dokumenti duhet shkruar nga ata që kanë përgjegjësinë për ta zbatuar.

 

SALI BERISHA

“Unë u them atyre që përpiqen të përdorin Ramën, vetëm sa komplikoni zgjidhjen e problemit. Çështja e Asociacionit nuk është çështje drafti. Draftin e Ramës, sigurisht e ka shkruar Vuçiçi. Kjo është për t’i thënë Albin Kurtit, që ti as këtë që ka hartuar Tirana, nuk e pranon.”

 

Berisha ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë komunikim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për zhvillimet e fundit.

 

Në raport me zgjedhjet lokale të 14 majit, lideri i opozitës, Sali Berisha, denoncoi atë që ai e cilëson si manipulim të procesit në bashkinë e Elbasanit. Berisha deklaroi se opozita ka monitoruar pamjet e kamerave të vendosura në qendrat e votimit dhe ka gjetur se në 70% të tyre, operatorët kanë shkelur ligjin duke kontrolluar votën e qytetarëve.

 

“Votimi në Elbasan ka kulmuar kur janë lejuar të votojnë edhe fëmijë në moshën 10-vjeçare dhe kjo është e filmuar. Pra, në qendrën e dytë më të madhe të vendit, de facto nuk është votuar.”

 

Berisha sulmoi edhe ish-bashkëpunëtorin e tij, Ilir Rusmalin, për vendimet që ai ka marrë si anëtar i komisionit të ankesave dhe sanksioneve ndaj ankimimeve të opozitës.

 

 “Një proces antiligjor, injorohet nga një person që ka urrejtje në çdo qelizë të trupit të tij sepse është shkarkuar nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë për shkak të korrupsionit. Ai nuk meriton, ai e ka vendin aty ku duhet të jetë çdo kriminel elektoral.”

 

Ilir Rusmali ka qenë Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë në kabinetin e drejtuar nga Sali Berisha deri në vitin 2007. Në 14 nëntor të vitit 2007, Rusmali dha dorëheqjen, pasi në media u publikua një përgjim i vëllait të tij që kërkonte një tender, të cilin ai nuk e mori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *