Kreu i Partisë Bindja Demokratike e cilësoi të hënën një ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për personat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, falë ndihmës që 48 shtete i ofruan Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve.

 

Përmes një postimi në “Facebook”, Patozi i shpreh mirënjohje të gjithë donatorëve që u shfaqën të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’i qëndruar pranë Shqipërisë në ditë të vështira.

 

Sot është një ditë e bekuar, për të kuptuar se ëndrra e shqiptarëve për Europën shkon përtej sloganeve të lodhura politike për integrimin. Dhe se vetë ai proces nuk ka parasysh një vizë më pak apo më shumë në pasaportat tona. Por mbi të gjitha, për t’u bindur se anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete dhe kurrsesi stacioni i fundit në rrugëtimin politik të shqiptarëve për krah popujve të tjerë. Mirënjohje për çdo cent të bujarisë së çdo vendi, që vendosi të ndajë “kafshatën” e vet me Shqipërinë e traumatizuar dhe kërrusur nga tragjedia e tërmetit rrënues të 26 nëntorit” Gjithçka ishte fantastike. Falë miqve jo vetëm europianë të Shqipërisë, që u përgjigjën sot në Bruksel, ka realisht kuptim deviza e huazuar nga himni i klubit të Liverpulit. Vetëm sot, të dëmtuarit nga tërmeti mund të marrin frymë të lehtësuar. Ata “nuk do të jenë asnjëherë vetëm”, sepse Shqipërinë miqtë nuk e lanë vetëm të vuante hallin e saj.”

 

Ndër të tjera, Patozi i bën thirrje qeverisë që mos të mburret për një meritë që nuk është e saj, por të fillojë nga puna dhe të mos humbasë kohë.

 

“Ajo duhet të përveshë mëngët kokulur dhe të nisë pa humbur kohë rindërtimin, duke shmangur standardet dhe veset e veta famëkeqe me fondet publike, por mbi ta gjitha, duke u fokusuar te transparenca. Sepse praktikisht, është i vetmi kërcënim për ta shkatërruar apo prishur këtë mrekulli, që prodhoi sot Brukseli për Shqipërinë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *