Dogjën qëllimisht automjetin e 50-vjeçares në Vlorë, arrestohen dy persona, njëri dyshohet si porositës

Dy persona janë arrestuar në Vlorë, pasi dyshohen se kanë djegur qëllimisht automjetin e një 50-vjeçareje, ngjarje e ndodhur rreth një muaj më parë në lagjen “1 Maji”.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Order” janë identifikuar dhe arrestuar dy shtetas, 33 dhe 36 vjeç, banues në Vlorë. Sipas hetimeve, 33-vjeçari dyshohet se ka porositur 36-vjeçarin për të djegur automjetin në pronësi të një 50-vjeçareje.
Ngjarja u regjistrua më 22 shtator 2026, rreth orës 01:20. Fillimisht, djegia e automjetit u dyshua se kishte ndodhur si pasojë e një defekti teknik në motor, por hetimet e mëtejshme zbuluan se zjarri ishte i qëllimshëm.
ndaj të arrestuarve rëndojnë veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.




