Rubla ruse ka rënë në vlerën e saj më të ulët prej një viti, periudhë që përkon me kohën kur Rusia pushtoi Ukrainën.

 

Monedha ruse ra në 82 rubla kundrejt dollarit amerikan të premten në mëngjes në bursën e Moskës, shkruan BBC.

 

Kjo rënie e monedhës ruse vjen pas valës së sanksioneve masive ekonomike nga shumë vende të botës dhe kryesisht Perëndimit.

 

Rubla gjithashtu ra me 2% në 90.06 kundrejt euros mëngjesin e së premtes.

 

Tregtarët thanë se rënia ishte e lidhur me disa faktorë, duke përfshirë çmimet më të ulëta të naftës në mars. Sipas tyre, ky element uli të ardhurat ruse dhe u pasua me shitjen e bizneseve perëndimore në Rusi pas pushtimit.

 

Vlera e rublës nuk ka rënë në këtë nivel që nga prilli 2022, megjithëse ishte edhe më e ulët menjëherë pas pushtimit, kur ra në 113 rubla për dollar amerikan. Monedha u stabilizua në korrik për të arritur në 50 rubla – por që atëherë ajo është dobësuar përsëri.

 

Presidenti Vladimir Putin ka këmbëngulur se ekonomia po qëndronte e fortë kundër sanksioneve ekonomike, por javën e kaluar ai pranoi se masat e marra për të ndaluar agresionin në Ukrainë mund të kenë një efekt negativ në Rusi.

 

Ministri rus i financave Anton Siluanov tha se rënia e fundit ishte e lidhur me ndryshimet në importet dhe eksportet në vend.

 

Në fillim të këtij viti, Rusia tha se ekonomia e saj ishte tkurrur me 2.1% në vitin 2022, shumë më pak se rënia prej 15% që ishte parashikuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *