ME PS për pension të dyfishuar ose me opozitën në humnerë, këtë mesazh të drejtpërdrejtë u përcolli kryesocialisti Edi Rama pensionistëve të Gjirokastrës gjatë takimit të sotëm.
“Ky objektiv është ambicioz, nuk është i lehtë, por ne po bëjmë çmos që ta arrijmë. Të tjerat, këto që ju thonë janë të gjitha rruga drejt humnerës, ose sepse nuk e kanë problem rrugën drejt humnerës dhe ju e dini shumë mirë kush nuk e ka problem rrugën drejt humnerës, e keni shumë të qartë, e njihni shumë mirë e prandaj e keni vënë kufirin atje larg”, tha Rama.
Rritje page, tha Rama, do të ketë edhe për sektorin arsimor.
“Pagën mesatare asokohe, në sistemin publik ne e kishim 370 euro, sot e kemi 1 mijë euro pagën mesatare. Dhe te mësuesit paga mesatare ka vajtur 950 euro dhe plani ynë është që në Shqipërinë 2030 të jetë 1200 euro.
Kritikave për mungesë programi elektoral, Rama iu përgjgigj prerë.
“Ndërkohë që, ne kemi jo program, po ne kemi program e plan qeverisës në çdo sektor se jemi duke negociuar me Bashkimin Europian. Si negocion Bashkimi Europian me një vend që s’ka program. Dhe planet tona në çdo sektor janë të detajuara edhe për çështjen e pensioneve. Ne japim llogari atje si, qysh, tek, ça plani keni, ku do shkoni? Si do shkoni?”, tha Rama.
PS premton dyfishim mbështetjeje për fëmijët me aftësi të veçanta.
“Pra do t’i japim dyfishin e mbështetjes që marrin sot për fëmijët me aftësi të veçanta në mënyrë që të kenë më shumë mundësi të kujdesen për ta sepse e kemi shumë mirë parasysh që kujdesi për ta është jashtëzakonisht i veçantë për nga përgjegjësia dhe nga ngarkesa”, tha shefi i qeverisë.
Në mbyllje Rama tha se në fund të qershorit fillon zbatimi i marrëveshjes pënsioneve më Italinë, ndërsa me Greqin kanë filluar negociatat.