Djali i madh i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr., i cili tani është përgjegjës për çështjet e biznesit të familjes së tij, nuk e përjashtoi sot mundësinë e kandidimit “një ditë” për president të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk e di, ndoshta një ditë, kjo prirje ekziston”, u përgjigj Trump, 47 vjeç, gjatë një forumi ekonomik në Doha, kur moderatori i panelit e pyeti nëse po e shqyrtonte mundësinë e kandidimit për president pas largimit të babait të tij.
Trump Jr. theksoi gjithashtu se, sipas tij, mandati i dytë i administratës Trump është “mundësia më e madhe për të riaktivizuar Amerikën dhe për të rigjallëruar marrëdhëniet në botë, duke krijuar begati dhe zhvillim për të gjithë botën.”
Nga ana tjetër, babai i tij, Donald Trump, ende nuk ka përjashtuar mundësinë e një mandati të tretë, një mundësi që është e ndaluar nga Kushtetuta e SHBA-ve dhe që ka shkaktuar kritika nga kundërshtarët e tij. “Nuk e di, duhet ta mendoj,” tha ai javën e kaluar, ndërsa ndodhej në Katar, para trupave amerikane në bazën al-Udeid.
Sipas amendamentit të 22-të të Kushtetutës së SHBA-ve, miratuar në vitin 1947, “asnjë person nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë president.”/vizionplus.tv





