Subscribe

Dy ditë nga hyrja në fuqi e ligjit që ndalon qeset plastike me një përdorim, në dyqane dhe tregje nisma nuk është përqafuar akoma plotësisht.

 

Nga një vëzhgim i bërë në Tiranë, hasen tregtarë të pajisur me qeset mbi 70 mikronë, që lejohen të përdoren.

 

Por ka edhe të tjerë që ende nuk e kanë bërë zëvendësimin dhe vazhdojnë të tregtojnë si më përpara.

 

Aktualisht shitësit kanë stok me qese që janë ndaluar me ligj për një muaj dhe ata thonë jashtë kamerave se do të vazhdojnë t’i përdorin derisa të mbarojnë sepse kanë paguar për to.

 

Teksa kontrollet në terren vijojnë, ditët e para do të shërbejnë për të ndërgjegjësuar dhe nëse nuk ka reflektim, do të nisë vendosja e gjobave.

 

Kjo nismë do të shërbejë për të ulur ndotjen mjedisore sepse qeset mbi 70 mikronë mund të riciklohen, ndryshe nga ato që ndalohen.

 

ENDRI HAXHIRAJ

AMBIENTALIST

 

“Në 10 vitet e fundit është prodhuar më shumë plastikë sesa në 100 vitet e fundit. Një njeri e mban një qese plastike vetëm 5 minuta dhe më pas e hedh. Kjo tregon një keqpërdorim të qeses plastike. Qeset që po hiqen përbëjnë ndotjen kryesore sepse nuk degradohen. Çfarëdo të hedhësh në mjedis, do të përbëjë ndotje gjithmonë, por qeset që lejohen sot, kanë vetinë që mund të riciklohen dhe ndotja mjedisore do të reduktohet ndjeshëm. Nuk kemi pse orientohemi vetëm te qeset 70 mikronë, por edhe te qeset prej letre apo te trastat.”

 

Qeset plastike përbëjnë gjithashtu ndotësin kryesor në dete e oqeane.

 

 

ENDRI HAXHIRAJ

AMBIENTALIST

 

“Në bregun e zonave ujore shikon pafundësisht plastikë. Përfundon deri në stomakun e gjallesave të ndryshme dhe më pas përfundojnë edhe te njeriu si mikroplastikë, këtë e kanë treguar edhe studimet e fundit. Ndotja e plastikës ndër vite ka qenë shumë e madhe në Shqipëri.”

 

Sipas studimeve të ndryshme, në dete dhe oqeane ka rreth 86 deri 150 milionë tonë plastikë dhe parashikimet janë që në 30 vitet e ardhshme sasia e këtyre grimcave do të dyfishohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *