8 Prilli njihet si dita ndërkombëtare e romëve, e gjithmonë diskutohet zhvillimi i tyre ekonomik e arsimor, por në qytetin e Korçës realiteti është krejt i kundërt.
Gurali dhe Lumturie Nazifi jetojnë në këtë gjendje në një kasolle.
E vetmja mënyrë jetese e tyre është të grumbullojnë metale në mbeturina, që më pas i shesin për të siguruar bukën e gojës.
“Vështirë është, ç’të bësh? Ku do vëmë? Pa përkrahje, pa ndihmë ekonomike. Dalim kazanëve, mbledhim ndonjë kapaçkë. Nuk ka ardhur asnjë të ndihmojë. Kush bëhet merak për ne? Gjithë jetën në kasolle, 30 vite”, thotë Gurali Nazifi.
“Shumë e vështirë, të sëmurë jemi. Jam me probleme me shtyllën kurrizore. Nuk kam të ndjek nëpër spitale. Ja kalohet jeta këtu? Kishim plehrat, punon aty. Tani nëpër kazane. Ai del andej vjen vërdallë që nxjerrim bukën e gojës”, thotë Lumturie Nazifi.
Edhe të rinjtë e komunitetit rom tregojnë vështirësinë e të jetuarit në një lagje të tillë, ku asnjëherë nuk ka patur investime.
“Shumë e vështirë, është jetë që nuk jetohet. Mes mbeturinave, është gjë shumë e vështirë. Hekura plasasme, ç’të dalë. Nuk del. Nuk del, gjëndje ekonomike nuk kemi, punë ska.”
“Në një kasolle rri. Me dy fëmijë, nuse, mamaja, vëllai me djalin. Plasmase bidona nëpër kazane. Vështirë, asnjë rregullim. Një vend pune na duhet e një dhomë. Punojmë pa probleme.”
Në qytetin e Korçës jetojnë afro 23 mijë banorë të identifikuar si pjesë e komunitetit egjiptian e rom.
Ndërkohë në Fier u organizua një tryezë kushtuar sfidave me të cilat përballen romët.
Vetëm për vitin 2024 rezulton se në këtë qark janë regjistruar 400 kërkesa për punësim nga komuniteti rom, ku 42 prej tyre janë finalizuar.
Ndërsa aktivistët u kanë bërë thirrje prindërve romë të mos neglizhojnë arsimimin e fëmijëve.
Një tjetër problem i diskutuar në tryezë ishte diskriminimi i shtuar ndaj këtij komuniteti, kryesisht në rrjete sociale./vizionplus.tv





