Një festë ngjyrash dhe tingujsh ka pushtuar Tiranën këtë të shtunë.
Dita e Verës, festë me origjinë pagane që i kushtohet ringjalljes së natyrës pas dimrit, ka mbushur rrugët dhe sheshet e kryeqytetit. me qindra të rinj e të moshuar, janë bashkuar për të festuar për një jetë me ngjyra dhe me shpresë.
Aktivitetet kanë nisur që prej mëngjesit, ku spektaktorët e parë ishin fëmijët, të cilët shijuan programin me animatorë dhe lojëra argëtuese për ta në Parkun Rinia.
Ballokumja jo vetëm si ëmbëlsirë, por edhe si një instalacion artistik i vendosur në bulevard tërhoqi njerëzit për të shkrepur fotografi në kujtim të Ditës së Verës, ndërsa në panairin “Lule të bukura ka Tirona” shpalosen instalacione artistike të krijuara me lule natyrale.
Që prej mesditës, zona e ish-Bllokut është shndërruar në skenë për një street party, duke krijuar një atmosferë dinamike urbane për të gjitha shijet në kryeqytet. Tingujt e muzikës do të vijojnë deri në mesnatë.
Për ata që e duan sportin, volejbolli, tenisi, futbolli apo edhe ping-pongu luhen nën ritmet e muzikës që përcjellin artistët nga koncerti festiv në zonën mes Piramidës dhe Kryeministrisë.
Dita e Verës, që qëllim ka të përshëndesë natyrën dhe shpresën, është shoqëruar edhe me masa të veçanta sigurie dhe kufizime të qarkullimit të automjeteve.
/vizionplus.tv





