Në kuadër të Ditës Botërore të Pronësisë Inteleketuale, thirrja e kryebashkiakut Erion Veliaj për të rinjtë është që të drejtohen tek inovacioni për një të ardhme më të mirë. Sipas tij, teknologjia është investimi më i mirë për ta dhe fusha ku duhet të përqendrojnë energjinë dhe zgjuarsinë.
“Konferenca e sotme na bën të kuptojmë se çdo ide, çdo shpikje, çdo arritje ka një vlerë në treg, një patentë të vetën dhe një mënyrë sesi mbrohet kjo e drejtë. Ndaj, e shoh edhe si një fushatë fantastike emancipimi, ku nëse dikush ka krijuar një sistem që funksionon, qoftë edhe këtu në ‘nahijen’ tonë, do ishim shumë të lumtur ta mësonim si bëhet, dhe nëse secili mëson prej tjetrit, besoj se të gjithë dalim më të ditur dhe me njohuri nga kjo eksperiencë e sotme, sepse kështu marrim diçka praktike për gjëra që funksionojnë dhe strategji që vlejnë edhe në kontekstin tonë.”
Me rëndësi, sipas Veliajt është mbrojtja e të drejtës intelektuale dhe frymëzimi për më shumë ide novatore.
“Është shumë e rëndësishme që sidomos tek puna që ne bëjmë me të rinjtë, të fusim koncepte se çfarë do të thotë të ruash të drejtën tënde, të ruash idenë tënde, të investosh në një ide që është unike.”
Çdo 26 prill, festohet Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale për të kuptuar se si shpikësit, zbuluesit dhe sipërmarrësit e rinj mund të përdorin të drejtat e pronësisë intelektuale për të gjeneruar të ardhura, për të krijuar vende pune dhe për të nxitur ndryshime.





