Dita e katërt e protestës, gjimnazistët bojkotojnë mësimin në disa qytete, në Burrel nxënësit kyçen brenda

Sot është dita e katërt e protestës në Tiranë, ndërsa lëvizja e të rinjve kundër qeverisë është përhapur edhe në qytete të tjera të vendit. Gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë në Gramsh, Kamëz, Burrel, Lezhë dhe Shkodër, ndërsa në disa qytete Policia është angazhuar për monitorimin e situatës.
VIDEO- Kamëz, gjimnazistët lënë bankat e shkollës
Në Kamëz, gjimnazistët kanë braktisur mësimin dhe janë mbledhur në rrugë, ku janë dëgjuar edhe brohorima para efektivëve të Policisë. Protestës i janë bashkuar edhe nxënës në Gramsh, ndërsa në Burrel dy gjimnazet e qytetit kanë braktisur mësimin. Pranë shkollave është parë prania e Policisë. Sipas raportimeve, nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” janë mbajtur brenda ambienteve të shkollës, për të mos iu bashkuar protestës së nxënësve të “28 Nëntorit”.
Protesta është zhvendosur edhe në Lezhë, ku të rinjtë kanë shkuar në oborret e gjimnazeve “Hydajet Lezha” dhe “Kolin Gjoka”, duke u bërë thirrje nxënësve të tjerë të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen tubimit. Në qendër të qytetit, protestuesit kanë ndezur zjarr dhe kanë hedhur kapsolla. Një pjesë e nxënësve, kryesisht nga gjimnazi “Hydajet Lezha”, kanë lënë mësimin dhe kanë dalë në rrugë.
VIDEO-Protesta e të rinjve në Lezhë
Ndërkohë, në Shkodër, gjimnazistët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë nisur protestën në rrugët e qytetit. Edhe në Fier, Policia ka marrë në monitorim sheshin qendror, pas paralajmërimeve në rrjetet sociale për protesta të të rinjve. Në disa prej qyteteve janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa efektivët po monitorojnë lëvizjet e protestuesve.
VIDEO- Gjimnazistët e Gramshit bojkotojnë mësimin
Protestat vijnë pas incidenteve të regjistruara ditë më parë në disa qytete të vendit.
/vizionplus.tv




