Institucionet e BE-së “u veshën” me ngjyrat e flamurit ukrainas për të pritur që në orët e para “Ditën e Europës”,  e cila këtë vit e gjen unionin më të bashkuar se kurrë ndërsa kontinenti i vjetër po përjeton një tjetër luftë.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Fon Der Lajen dënoi agresionin rus në Ukrainë duke theksuar edhe njëherë mbështetjen për Kievin.

 

URSULA VON DER LEYEN

PRESIDENTE E KE

 

“Sot kontinenti ynë po përballet me hijen e një të shkuare të cilën mendonim se e kishim lënë pas. Një luftë mizore, agresion i pajustifikuar, qytete të shkatërruara, miliona njerëz të pafajshëm që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre dhe fate që nuk dinë cctë presin në të ardhmen. Europa qëndron në krah të Ukrainës. Në të njëjtën kohë pushtimi rus na kujton se pse po e festojmë ditën e Europës, dita kur ka lindur Europa jonë e paqtë dhe e zhvilluar. 72 vite më vonë, jemi më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.”

 

Dita e Europës përkujtohet çdo 9 maj, datë e cila përkon me deklaratën e Schumanit, hera e parë kur u propozua krijimi i komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, paraardhësi i Bashkimit Europian.

 

Në një fjalim historik të mbajtur në Paris në vitin 1950, Robert Schuman, atëkohë ministër i Jashtëm i Francës, propozoi që anëtarët themelues të komunitetit, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, do të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët duke hequr taksat e importit dhe eksportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *