Dita e sotme (22 nëntor) është ditë feste për të gjithë shqiptarinë, pasi është dita e Alfabetit.
Në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut është festuar nga shqiptarët dita e Alfabetit, ndërsa në Kosovë kjo datë e rëndësishme ende nuk është në kalendarin e festave zyrtare.
Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus të moderuar nga Pranvera Borakaj, Akademiku dhe Gjuhëtari Rexhep Ismajli, tha se si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë detyrim të respektojnë ditën e Kongresit të Manastirit e cila unifikoi shkrimin e gjuhës shqipe.
Ai bëri thirrje që në këtë moment ku ndodhet bota, duhet të luftojmë për të mbrojtur gjuhën shqipe nga deti i globalizmit.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Së pari pse dita e Alfabetit nuk është ende në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës?
Ismajli: Dita e Alfabetit nuk është në Kalendarin e festave, por kjo është një nga festat më të mëdha që kemi në historinë tonë. Është një ditë e shënuar në bashkimin për shkrimin e shqipes të të gjithë shqiptarëve. Kongresi i Manastirit ka shënuar një moment shumë të rëndësishëm jo vetëm për Alfabetin por edhe për zhvillimet që kanë ndjekur lëvizjen e Rilindjes deri te formimi i shtetit të Shqipërisë, dhe pastaj themelimi i institucioneve të tjera, te themelimi i Shtetit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Të gjitha këto sëbashku kanë detyrimin ta respektojnë ditën e Kongresit të Manastirit.
Borakaj: Në Maqedonine e Veriut është rikthyer debati për ligjin e gjuhëve. Një deklaratë e kryeministrit të Kosovës se shqipja nuk është gjuhe zyrtare në Maqedoninë e Veriut shkaktoi zemërim te faktori politik shqiptar atje i cili e kërkoi tërheqjen e saj. Si i shihni këto qëndrime të Albin Kurtit?
Ismajli: Për në Maqedoninë e Veriut ka një kohë që ka patur vështirësi dhe pastaj disa suksese lidhur me përdorimin. Maqedonia e Veriut ka një realitet të paneglizhueshëm shqiptar. Ne jemi ende në fazën kur Komisioni kishte vendosur që në Maqedoninë e Veriut të përdoret shqipja në ato mjedise ku flitet më shumë se 20% e popullatës. Shqipja atje flitet 30% në të gjithë shtetit. Ka nevojë për zgjidhje pozitive të cilën e gjejnë qytetarët atje shqiptarët bashkë me maqedonasit. Ne nga jashtë mund të ndihmojmë, por duhet të ndihmojmë aq sa e kërkojnë ata. Ata kanë institute, akademi, dhe janë të aftë të mendojnë vetë për këto probleme. Sa kohë u duhet ndihma ne duhet të jemi gati.
Borakaj: Sot u prezantua draft fjalori i madh i gjuhës shqipe, një punë voluminoze katër vjeçare e Akademive në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Çfarë risish sjell sipas jush ky fjalor dhe cilat janë rreziqet që i kanosen gjuhës shqipe?
Ismajli: Fjalorin nuk e kam parë dhe nuk jam në gjendje të flas për fjalorin konkretisht. Uroj të jetë më i miri i mundshëm. Gjugha Shqipe ka mundësi të jashtëzakonshme por edhe rreziqe. Mundësi janë përdorimi i saj në të gjitha nivelet, në të gjitha drejtimet, më shumë se kurrë ndonjëherë, botimet e larmishme, të begatshme dhe përdorimet gojore në popullatën e përgjithshme që kurrë nuk ka qenë kaq shumë. Teknologjia moderne këto i bën të mundshme. Teknologjia sjell edhe vështirësi pasi është prodhuar nga të tjerër, e drejtuar nga të tjerët. Ne dhe popujt e tjerë të vegjël kemi vështirësi pasi jemi në një det të madh, në detin e globalizmit. Ky është realitet që nuk luftohet duke mbyllur sytë para tij, por duke u organizuar për ta bërë sa më të mudshëm përdorimin tonë brenda atij realiteti.





