E mërkurë, 21 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Dikur kundërshtarë me Ramën, sot në të njëjtën anë, Dash Sula: Protestoni, por jo me dhunë! Të rinjtë dhe policët duhet të kthehen shëndoshë në shtëpi

Kryeinspektori i Përgjithshëm dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar për protestat e tetë ditëve të fundit në Shqipëri, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin dhunën dhe të vijojnë të kërkojnë të drejtat e tyre përmes protestave paqësore.

Në reagimin e tij, Sula shprehet se i ka ndjekur me shqetësim dhe keqardhje zhvillimet e ditëve të fundit, ndërsa thekson se e drejta për të protestuar është një element thelbësor i demokracisë.

Reklamë

“Protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe një instrument thelbësor i demokracisë”, shkruan Sula, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të reagojnë sa herë që mendojnë se qeveria nuk po përmbush detyrimet ndaj tyre.

Megjithatë, ai nënvizon se pakënaqësitë nuk duhet të shndërrohen në akte dhune, duke paralajmëruar se ato mund të dëmtojnë edhe kauzat që nisin nga kërkesa legjitime.

Reklamë

“Një padrejtësi nuk mund të ndëshkohet me një padrejtësi edhe më të madhe”, shprehet kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, i cili u bën thirrje protestuesve të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme.

Sula ndalet edhe te përplasjet mes demonstruesve dhe Policisë së Shtetit, duke kujtuar se si protestuesit, ashtu edhe efektivët kanë familje që i presin në shtëpi.

“Të rinjtë që dalin në protestë duhet të kenë garancinë se do të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre. Njësoj si protestuesit, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë familje që i presin dhe të drejtën për t’u kthyer pranë tyre në fund të ditës.

Prandaj, kjo është një thirrje që më buron nga thellësia e shpirtit për të gjithë ata që janë në shesh: të shmangin dhunën, të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme dhe të mos e zëvendësojnë fuqinë e argumentit me akte brutale. Argumentet e qytetarëve kanë shumë më tepër peshë dhe zë sesa dhuna”, shkruan Sula.

Sula kujton protestat kundër qeverisë Rama

Në reagimin e tij, Dashnor Sula i referohet edhe së kaluarës së tij politike, duke pranuar se qëndrimi i sotëm mund të sjellë kritika, pasi më parë ai protestonte në Parlament kundër së njëjtës qeveri që sot kundërshtohet nga qytetarët.

“Po, është e vërtetë se katër vite më parë kam protestuar edhe i vetëm në Parlament kundër problematikave të qeverisjes. Kam ngritur shqetësime dhe kam denoncuar çështje konkrete, për të cilat vazhdoj të mbaj të njëjtin qëndrim”, shkruan Sula.

Ai shpjegon se pranimi i detyrës si Kryeinspektor i Përgjithshëm erdhi pas ftesës së kryeministrit Edi Rama, kundërshtarit të tij të dikurshëm politik. Sipas Sulës, vendimi u mor me bindjen se mund të kontribuonte në ndërtimin e një shteti funksional, pavarësisht përkatësive politike.

“E kam pranuar këtë sfidë me bindjen se shteti ndërtohet duke kontribuar aty ku mund të jesh i dobishëm, pavarësisht bindjeve apo përkatësive të mëparshme politike”, thekson ai.

Sula shton se gjatë shtatë muajve në detyrë i është përkushtuar punës në institucion, ndërsa pohon se mesazhi që ka marrë nga kryeministri ka qenë të veprojë në përputhje me ligjin dhe atë që e konsideron të drejtë.

Duke iu rikthyer protestave, Sula nënvizon se studentët, nxënësit dhe të rinjtë mund të kenë të drejtë në shumë prej shqetësimeve të tyre dhe se institucionet duhet t’i marrin seriozisht kërkesat e tyre.

Ai thekson se zgjidhja nuk mund të vijë përmes shkatërrimit të pronës apo lëndimit të njerëzve, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe dialog mes palëve.

“Dhuna nuk e forcon një kauzë të drejtë; përkundrazi, rrezikon ta zbehë atë dhe ta largojë vëmendjen nga problemet reale që kërkojnë zgjidhje”, shkruan Sula.

Në përfundim, ai bën thirrje për maturi dhe bashkëjetesë, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për më shumë dëgjim të qytetarëve dhe më pak përplasje.

“Maturia dhe dialogu nuk janë shenjë dobësie. Janë shenjë përgjegjësie ndaj vendit dhe qytetarëve”, përfundon reagimin e tij Dashnor Sula.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.