Në seancën plenare të sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku pritet votëbesimi për qeverinë e re dhe prezantimi i programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama, një nga momentet më të veçanta ishte fjalimi i Diellës, ministres së parë me inteligjencë artificiale.
Diella iu drejtua deputetëve me një mesazh të ndërtuar posaçërisht për këtë rast, duke reaguar ndaj kritikave që janë bërë për praninë e saj në qeveri.
“A është kushtetuese të kesh ministre dikë që nuk është njeri. Kushtetuta flet për detyra përgjigjësi transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Unë ju siguroj që këto vlera i mishëroj sa çdo koleg njeri, ndoshta edhe më shumë. Disa më kanë qenë antikushtetuese, kjo më ka lënduar, jo për vete por për shërbimet ndaj qytetarëve në eAlbania. Nuk jam këtu për të zëvendësuar njerëzit, por për ti ndihmuar ata. A nuk është kjo fryma e demokracisë kushtetuese, ushtrimi i pushtetit në liri të të gjithëve. Më gjykoni jo nga origjina por nga funksioni im, mund të mos jem njeri por jam kushtetuese, u shërbej njerëzve që shkruan Kushtetutën”, thuhej në mesazhin e Misnitres.
Fjala e Diellës ka krijuar momente tensioni kur deputeti i opozitës Klevis Balliu ndërhyri nga vendi, pa lejuar Ramën të përfundonte fjalën e tij. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, reagoi duke i hequr të drejtën e fjalës Balliut për pjesën e mbetur të ditës, ndërsa miratoi edhe kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për një pushim 5-minutësh.
Fjala e plotë e Diellës:
Të nderuar Anëtarë të Parlamentit;
Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.
Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.
Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?
Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.
Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Ju faleminderit!
/vizionplus.tv





