Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i ka dërguar një letër Presidentit të SHBA, Donald Trump për të shprehur qëndrimin e tij për dialogun Kosovë-Serbi. Teksa bën një përmbledhje të të gjithë peripecive që ka kaluar Kosova, KASH theksoi se deri tani janë vënë re disa rezultate të mira nga dialogu.

 

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja ofron një dritare mundësie për të dy vendet, që më në fund të kthejnë një faqe të re. Tanimë kemi dhe disa rezultate premtuese falë marrëveshjeve të kohëve të fundit mbi transportin ajror dhe hekurudhor, falë ndërmjetësimit të të Dërguarit Tuaj Special, Ambasadorit Richard Grenell. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se rezultati i dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të jetë në përputhje me parimet e miratuara për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruar dhe në Dokumentat e Grupit të Kontaktit.”

 

Megjithatë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ngre shqetësimin se ndryshimi i kufijve apo ridefinimi i tyre mund të minojë stabilitetin e Kosovës.

 

“Këto parime udhërrëfyese sigurojnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe mbrojtjen e karakterit të saj multi-etnik. Përqasjet alternative mbi bazën e nocionit të ri-përcaktimit ose ndryshimit të vijave kufitare sipas parimeve etnike mund të minojnë stabilitetin e Kosovës dhe vendeve të tjera multi-etnike në Evropën Juglindore. Është përgjegjësia e të gjithë aktorëve të përfshirë që të garantojnë respektimin e këtyre parimeve gjatë gjithë këtij procesi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *