I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet të qëndrojë sot dhe nesër në Prishtinë në një vizitë të paparalajmëruar në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

 

Zoti Lajçak gjatë vizitës pritet të takohet me udhëheqës të qeverisë dhe të partive opozitare, ndërsa ende nuk dihet nëse do të shkojë edhe në Beograd.

 

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç u tha sot mediave serbe se Prishtina e ka refuzuar një ftesë për takim ndërmjet kryenegociatorëve që sipas tij është dashur të mbahet të martën me shtatë nëntor në Bruksel. Prishtina nuk i komentoi këto pohime.

 

Vizita e zotit Lajçak pason kërkesën e udhëheqësve të vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë të njohë “de fakto” pavarësinë e Kosovës.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin të ofruar nga diplomacia perëndimore ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar propozimin si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por duke nënvizuar se nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së Kosovës./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *