Dhunë në protestë, Qefalia: Ju uroj shërim të shpejtë protestuesve dhe punonjësve të policisë

Zv.ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, i ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka komentuar situatën dhe kaosin që po ndodh në Shqipëri.
Qefalia tha se u uron shërim të shpejtë protestuesve, por edhe punonjësve të policisë. Ai tha se as protestuesit dhe as policët nuk janë armiq, por të dyja palët janë në mision.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Kemi parë skena lufte në rrugët e Tiranës, me policinë që mësyn me shumë mjete. Si i shpjegoni?
Qefalia: Këto ditët e fundit, sidomos java e fundit, ka pasur protesta të cilat kanë qenë ndryshe nga të tjerat. Dhuna është karakterizuar nga përplasje me policinë, institucionet dhe dëmtimi i pronës private. Elementë të kësaj proteste kanë dalë jashtë kontureve të një proteste normale. Kjo ka bërë që disa përplasje të jenë fatale.
E drejta e fjalës dhe e protestës është e garantuar. Çdo protestë që bëhet ka qëllimet e saj, por, në të njëjtën kohë, policia është aty për të vendosur rregullin, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ruajtur pronën.
Me këtë rast, meqë ju keni edhe një përfaqësues të protestës, dua t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë protestuesve, por edhe punonjësve të policisë. Numri është shumë i lartë dhe nuk dua të ndaj sa janë protestues dhe sa punonjës policie, por të gjithëve u uroj shërim të shpejtë.
Policia e Shtetit është aty për të siguruar rendin dhe qetësinë. Sot kishim protestë, por kishim edhe një ngjarje tjetër jashtë Tiranës, ku policia u angazhua në periferi për një vrasje. Policia është aty për qytetarët.
Protestuesit nuk janë kundërshtarë të policisë, as policia kundërshtare e protestuesve. Të dyja palët janë aty për misionin e tyre.
Rakipi: Opozita pretendon se është përdorur dhunë e paprecedentë. A ekziston ky protokoll?
Qefalia: Është e vërtetë. Ne i kemi parë, ashtu si ju. Në raste të tilla kemi evidentuar se policët kanë shkelur protokollin dhe është urdhëruar pezullimi i tyre. Nuk bëhet fjalë vetëm për pezullimin, por ka edhe organe të tjera që vazhdojnë të monitorojnë veprimet dhe protokollet që janë tejkaluar.




