Qarkullimi drejt rrugës së Kombit do të bëhet nga Rubiku. Ura e Milotit është mbyllur pasi rrezikon shembjen dhe do të qëndrojë e tillë deri në ndërhyrje, për të rikthyer sigurinë në qarkullim.
Objekti inxhinerik është inspektuar nga autoriteti rrugor si dhe një grup inxhinierësh të Universiteti të Tiranës, për të gjetur një zgjidhje për ndërhyrje emergjente, deri në ndërtimin e një ure të re.
“Mbyllja e urës ishte e domosdoshme për të shmangur pasoja të rënda dhe janë marrë masa për devijimin e qarkullimit në itinerare alternative.“, tha shefi i qarkullimit rrugor, Lezhë, Vladimir Nikolli.
Ura, me gjatësi prej 788 metra ka pësuar dëmtime të mëdha në themelet e saj, si rezultat i erozionit të vazhdueshëm dhe shfrytëzimit pa kontroll të shtratit të lumit Mat për materiale ndërtimi. Rreziku për shembje u konsiderua real dhe i menjëhershëm.
Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se qarkullimi do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundimin e ndërhyrjes së parë teknike, e cila do të nisë brenda pak ditësh në bashkëpunim me strukturat akademike dhe inxhinierike vendase.
Në një plan afatgjatë, ndërtimi i një ure të re është përfshirë në programin kombëtar “100 Ura”, i mbështetur financiarisht nga Banka Botërore, me synimin për të zëvendësuar veprat e amortizuara dhe për të garantuar siguri në nyjet kyçe të qarkullimit kombëtar.
/vizionplus.tv





