Nga Esido Barkaj
Pinca, një shall dhe disa mjete të tjera pune janë sendet që policia e Tiranës shpreson që mund ti ndihmojnë hetuesit për zbulimin e identitetit të autorëve të dyshuar të atentatit me 4 të plagosur në Lundër, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 17 prillit. Në këtë atentat dy prej te plagosurve ishin të mitur.
Lexo edhe :
Related Posts
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se sendet e gjetura shumë pranë vendit të atentatit, dyshohet se mund ti përkasin autorëve. Pasi janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore, mbi këto sende janë gjetur 17 profile mikse ADN, ku dy prej tyre janë profile të pastra dhe të plota.
Kjo është një dritë jeshile për efektivët, pasi lënia e gjurmëve mund ti drejtojë ata drejt zbulimin të personave që qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të mjetit luksoz tip G Class në pronësi të familjes së biznesmenit Demiraj. Mjeti drejtohej nga shoferi i familjes, i cili mbeti i plagosur.
Plumbave nuk i shpëtuan as dy fëmijët e mitur të familjes, përkatësisht 17 dhe 11 vjeç, ndërkohë i plagosur mbeti edhe pasagjeri tjetër fqinji i tyre 19-vjeçar.
Burimet shtojnë se këto profile pritet të verifikohen nëse u përkasin apo jo autorëve, edhe përmes krahasimit me të gjitha ADN-të që laboratori ka në dispozicion në të shkuarën të personave që janë përfshirë më parë në aktivitete kriminale.
Mister ende mbetet shënjestra e atentatit. Grupi hetimor ende nuk ka të qartë se kush ishte shënjestra, nëse ishte pikërisht biznesmeni Demiraj, apo ndonjë person tjetër që banon në zonën e vilave në Lundër që disponon mjet të ngjashëm me makinën ku po udhëtonin 4 të plagosurit.
Policia dyshon se autorët kanë qenë dy persona, të cilët pasi kanë qëlluar me plumba janë larguar me motor në drejtim të Elbasanit, duke humbur gjurmët në zonat rurale të Tiranës. Plumbat madje prekën dhe një automjet që po lëvizte pranë zonës, ku pronari i saj bëri denoncimin në polici.
Në zonën e Mulletit, blutë gjetën një motor të djegur, i dyshuar se është përdorur nga autorët.
/vizionplus.tv






