Subscribe

Gjykata e Apelit Durrës liroi nga qelia Klajdi Xibrakun, administratorin e kompanisë “Masabi Fruits”, që kishte porositur ngarkesën me banane nga Ekuadori, ku u gjetën 143 kg kokainë.

 

Vendimi u dha pasditen e të martës, ndërsa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Trupi gjykues argumentoi se provat e paraqitura nga SPAK nuk vërtetojnë përfshirjen e Klajdi Xibrakut në trafikun e lëndëve narkotike.

 

Një javë më parë, i njëjti vendim u dha edhe për Erjon Petin, ortakun e Xibrakut, i ndaluar me po të njëjtat akuza për këtë çështje.

 

Dy administratorët u arrestuan në muajin prill të vitit 2021, gjatë operacionit të koduar “El Mejor”, që u zhvillua nga policia në bashkëpunim me SPAK.

 

Ata u ndaluan pasi në kontenierin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të kompanisë së tyre u zbuluan 143 kg kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në tavanin e kontenierit dhe ishte ndarë në pako të mbështjella me natriban të zi.

 

Ngarkesa ishte nisur nga Ekuadori dhe kishte kaluar tranzit në Itali​, para se të mbërrinte në Durrës. Por pavarësisht se agjentët e antidrogës kishin informacion për drogën, aksioni dështoi pasi porositësit e ngarkesës nuk u zbuluan. Kjo pasi prokuroria dhe policia u mjaftuan vetëm me arrestimin e administratorëve të kompanisë.

 

Në portin e Durrësit gjatë vitit 2021 janë kapur disa ngarkesa me kokainë në kontenierët me banane. Edhe në këto raste asnjë prej trafikantëve nuk ka përfunduar në pranga, pasi të vetmit të ndaluar kanë qenë shoferët dhe administratorët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.