Subscribe

Dëshmitë e Artan Tafanit kanë “shkundur” botën e krimit, duke zbardhur dhjetra ngjarje kriminale të “pluhurosura” në dosjet e drejtësisë. Të paktën 15 urdhërarreste janë lëshuar pas dëshmisë së Tafanit, ndërsa të tjerë pritet të ekzekutohen. Dëshmitë e tij lidhen kryesisht me grupin kriminal të Lushnjës, “koka” e së cilit është Laert Haxhiu, rivali i Aldo Bares.

 

Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson vrasjet e zbardhura nga dëshmitë e Tafanit. Gjashtë vrasje janë zbardhur nga policia dhe prokuroria pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë.

 

Bëhet fjalë për vrasjen e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, të ekzekutuar në shtetin grek, ngjarje për të cilën policia ka mundur të dokumentojë fakte që e çojnë drejt zbardhjes së saj.

 

Gjithashtu dritë është hedhur edhe mbi mbytjen në rezervuar e Fridmand Xhaferrajt. Vrasja e Xhaferrajt ishte mostruoze, pasi trupi i pa jetë u gjet me shenja të shumta dhune në trup e kokë, si dhe me duar të lidhura.

 

Alban Selmaku, 38-vjeçari, i cili besohet të ketë shërbyer për bandën e Aldo Bares, u gjet i pa jetë në lumin Shkëmbin, në Peqin. Vetëm pesë muaj pas rifitimit të lirisë, ai u rrëmbye në qytetin e Lushnjës dhe u vra. Ai sapo kishte lënë qelinë, pasi kishte përfunduar dënimin, ndërsa rezulton i dënuar edhe për vrasje, kanosje e trafik droge.

 

Gjithashtu është zbardhur edhe vrasja e Artur Breshës. Ky i fundit  u ekzekutua me armë në një kantier ndërtimi në Tepelenë ku ai punonte si roje. Autorët shkuan edhe pranë banesës së tij ku  qëlluan me armë në këmbë  të vëllain.

 

Po ashtu, është zbardhur ekzekutimi i Albi Bashaliut më 27 dhjetor 2021 brenda një lokali në fshatin Gjoçaj të Peqinit.

Nga ana tjetër, Laert Haxhiu që besohet të jetë dhe porositës i këtyre atentateve, ndodhet në Greqi, ndërsa është në “luftë” me drejtësinë për të mos lejuar ekstradimin drejt Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *