Në Maqedoninë e Veriut nga dita e hënë kanë hyrë në fuqi masat e reja shtrënguese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Masat ndalojnë hyrjen në objektet e gastronomisë të të gjithë personave që nuk posedojnë certifikatë për marrjen vaksinës ose vërtetim se e kanë kaluar sëmundjen COVID-19. Gjithashtu ndalohet organizimi i dasmave apo manifestimeve tjera në objektet e mbyllura, ndërsa të martën qeveria me kërkesë të Komisionit për Sëmundje Infektive do të vendosë edhe për aplikimin e masave gjatë hyrje-daljeve në pikat kufitare. Si për shtetasit e Maqedonisë së Veriut edhe për shtetasit e tjerë do të kërkohet dëshmi për marrjen e vaksinës apo vërtetim se kanë kaluar sëmundjen COVID-19

Këto masa, siç bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe janë imponuar nga përkeqësimi i gjendjes epidemiologjike në vend.

“Është evidente se kemi rritje të numrit të personave të diagnostikuar me COVID-19. Gjendje më e rëndë është në Tetovë, Gostivar, por edhe në Strugë. Në Tetovë, 90 persona janë të shtruar në spital. Për shkak të gjendjes së rënduar kemi vendosur nga e hëna të hapin spitalin modular në Shkup, por edhe disa klinika tjera që do të jenë në shërbim të personave të infektuar, e që kanë gjendjen e rëndë shëndetësore”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke kërkuar nga popullata që t’i përgjigjet thirrjeve për vaksinim, si mundësi e vetme për parandalimin e përhapjes së virusit.

“Sa i përket vaksinimit, ai po rrjedh mirë veçanërisht pas paralajmërimit të masave shtrënguese. Besoj se edhe në të ardhmen do të kemi imunizim të mirë të popullatës. Javën e kaluar janë dhënë rreth 50 mijë vaksina duke e çuar në rreth 35 për qind numrin e përgjithshëm të popullsisë së vaksinuar”, ka deklaruar Filipçe.

Ndërkohë, vendimi i qeverisë për ashpërsimin e masave ka nxitur reagimin e bizneseve, të cilat i vlerësojnë si të dëmshme për aktivitetet e tyre afariste.

“Është absurde të pretendosh se do të kemi punë kur e dimë se vetëm 25 për qind të popullatës e kemi të vaksinuar. Shtatëdhjetë e pesë për qind i kemi të pa vaksinuar dhe çfarë presim ne? Se do të mund të mbijetojmë nëse ndonjëri nga të vaksinuarit do të vizitojë lokalet tona?. Nëse qeveria mendon se me ndalesa të këtilla do të ndalojë përhapjen e virusit, gabon shumë. Në të gjithë jemi dëshmitarë se shkak të për rritjen e numrit të të infektuarve janë manifestimet familjare”, ka deklaruar Zdravko Josifovski nga Oda e Pavarur e Gastronomëve.

Kundër masave janë deklaruar edhe disa qytetarë, të cilët dolën edhe në protesta në Shkup dhe qytetin e Manastirit. Ata janë edhe kundër vaksinimit të detyrueshëm.

“Kjo është një betejë e jona kundër gjithë asaj që po ndodh, kontrollit tonë, shkatërrimit të ekonomisë, shëndetësisë dhe mbylljes së shkollave”, thotë Nadica një protestuese nga Shkupi.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka thënë se qeveria nuk detyron njerëzit të vaksinohen, por e ka për obligim që të kujdeset për shëndetin e popullatës.

Në Maqedoninë e Veriut numrit i personave të diagnostikuar me COVID-19 ka arritur në rreth 162 mijë persona, prej të cilëve 5.552 e kanë humbur jetën ndërsa rreth 5.700 ende janë aktivë me koronavirus./ REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *