Subscribe

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit rikthehet këtë të premte  në stadiumin kombëtar Air Albania. Bardheblutë kërkojnë medoemos një fitore, për t’u kthyer në garë e për të mbrojtur titullin kampion.

 

Për trajnerin,  Nevil Dede, derbi merr gjithmonë rëndësi ndërsa thekson se kjo do të jetë ndeshja e kthesës për skuadrën.

 

 NEVIL DEDE 

TRAJNER I TIRANËS

”Tirana është “dënuar” gjithmonë që të fitojë. Është “dënuar” që të pretendojë për titullin kampion. Në historinë e këtij klubi kështu është perceptuar dhe të gjithë brezat janë rritur me këtë filozofi dhe mendim. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Të kemi respekt për veten. Doja të bëja një thirrje për lojtarët. Në këto kushte që po kalon gjithë botë dhe futbolli ynë shqiptar, duhet të bëjmë më të mirën. Të dyja skuadrat duhet të kënaqin njerëzit që na ndjekin nëpër ekranet për të harruar hallet që po kalon jo vetëm populli jonë, por e gjithë bota.”

 

Nga ana tjetër, Partizani me Ilir Dajën ka ndryshuar lojën dhe kryeson kampionatin pas 5 javësh. Tekniku i kuq në prag të sfidës u shpreh se atmosfera në skuadër është e mirë edhe pse ndjehet jo pak mungesa e tifozëve

 

ILIR DAJA

TRAJNERI I PARTIZANIT

“Derbi më shumë se për trajnerët është për tifozët. Është një ndeshje që duhet fituar, pasi përveç tifozëve ka edhe një bonus psikologjik. Ne e kemi përgatitur me qetësi sepse vijmë nga një gjendje psikologjike e mirë. Flasim për dy tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Është mungesë e madhe dhe në këtë situatë që jetojmë, e ndiejmë akoma më shumë. Nuk i kemi në stadium, por do na ndjekin në televizion dhe e dimë se janë të përqendruar në këtë derbi.”

 

Derbi i kryeqytetit do të luhet të premten në orën 18:00 në stadiumin kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *