Deputet i PS, Arbjan Mazniku, tha se reforma e re territoriale duhet të fokusohet fillimisht te kompetencat reale të bashkive dhe kapacitetet e tyre për t’i zbatuar ato, duke lënë në plan të dytë debatin për hartën administrative.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zili, Mazniku theksoi se thelbi i reformës është rikonceptimi i funksionimit të pushtetit vendor, me synim ofrimin e shërbimeve më efikase, më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët.
Deputeti i PS shtoi se koha është elementi më kritik dhe se reforma duhet të realizohet pa vonesa, për shkak të disa afateve të rëndësishme, zgjedhjet vendore në majin e vitit të ardhshëm, mbyllja e negociatave me Bashkimi Evropian në vitin 2027 dhe anëtarësimi i mundshëm i Shqipërisë në BE në vitet 2029-2030.
INTERVISTA E PLOTË:
Cilat çështje, sipas jush, duhet të jenë kryesoret në rendin e parë që duhet të adresohen menjëherë nga ky komision i reformës?
Mazniku: Unë besoj që e gjithë reforma duhet të niset nga vlerësimi i detajuar i kompetencave që bashkitë kanë dhe nga mundësitë që ato kanë për t’i zbatuar këto kompetenca. Më pas, ne duhet ta rikonceptojmë mënyrën se si funksionon pushteti vendor në Shqipëri, nisur nga qëllimi se si do t’ia dalim t’u ofrojmë shërbime më efiçiente, më të mira, më shpejt dhe më cilësore qytetarëve. Unë e kuptoj që shpeshherë ky debat zbret në një debat harte, por është e rëndësishme të kuptojmë që harta duhet të jetë subjekt i kompetencave dhe jo të rrjedhojnë kompetencat nga harta. Nëse ne caktojmë se cilat punë bëjnë bashkitë, për cilat punë i kanë financat, stafet dhe njerëzit e nevojshëm, si dhe përgjegjësinë e duhur në raport me votuesit e tyre, atëherë krijojmë një sistem ku pushteti vendor ka fuqinë për t’i ofruar këto shërbime njerëzve në mënyrë efiçiente.
Cilat janë pikat e kuqe apo kufijtë që nuk duhen kaluar nga kjo reformë?
Mazniku: Pika kryesore është se është shumë e rëndësishme që këtë reformë ta bëjmë tani, koha është thelbësore. Ne jemi në një periudhë ku kemi disa data të caktuara, së pari, në majin e vitit që vjen do të kemi zgjedhjet e radhës vendore. Gjithashtu, dimë që brenda vitit 2027 Shqipëria do të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian dhe me gjasa brenda viteve 2029-2030 do të jetë vend anëtar i BE-së. Kur të anëtarësohemi, një nga programet më të rëndësishme është ai i kohezionit social, përmes të cilit BE-ja mbështet zonat më pak të zhvilluara. Që ne të kemi kapacitet për të tërhequr këto financime dhe për t’i kthyer në shërbime, na duhen struktura të afta që dinë të funksionojnë në këtë nivel strategjik. Pra, përveç mirëmbajtjes bazë si rrugët, ndriçimi apo kopshtet, bashkitë duhet të kenë mundësi të bëjnë plane të mirëfillta zhvillimore që të ndërlidhen me financimet e Bashkimit Evropian.
A keni ndonjë model të cilit po i referoheni, duke pasur parasysh se eksperienca evropiane është goxha e gjerë në lidhur me pushtetin vendor? Do t’i referoheni një modeli ekzistues apo do të kërkoni ndihmë nga partnerët evropianë për një model që mund të zbatohet në Shqipëri?
Mazniku: Së pari, ne kemi ngritur dje grupin e ekspertëve që do të asistojnë pikërisht për këtë çështje, për të vlerësuar modelet dhe zgjidhjet më të mira në tri kolona kryesore, kompetencat e pushtetit vendor, financat dhe territori me qeverisjen. Këto tre grupe ekspertësh, të dakordësuara me opozitën, do të fillojnë punën menjëherë. Ne do të angazhohemi që në fillim të javës tjetër, sapo të miratojmë axhendën të hënën paradite, pasi opozita kërkoi më shumë kohë, të fillojmë punën në terren. Do të takojmë të gjithë kryetarët e bashkive dhe të zgjedhurit vendorë në qarqe e njësi kudo që janë, për të biseduar për problematikat që kanë hasur këto dhjetë vite. Më pas, do të ndërthurim këto problematika me dijet tona nga eksperienca 10-vjeçare, studimet dhe ekspertizën ndërkombëtare për të dalë me një zgjidhje të dakordësuar. Besoj se nëse krijojmë një proces pa paramendime, që dëgjon palët e interesit dhe bazohet në mirëbesim për të bërë më të mirën për qytetarët, i kemi të gjitha mundësitë për një zgjidhje të mirë.
Një nga kërkesat kryesore të opozitës sot ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor. Ju jeni gati ta prekni këtë çështje në komision apo jo?
Mazniku: Unë besoj se është e rëndësishme të dëgjojmë të gjitha opinionet dhe më pas të biem dakord për gjërat që mund të dakordësohen. Kur ka një argumentim, gjërat dëgjohen. Partia Socialiste, nëpërmjet Kryeministrit, ka qenë shumë e qartë, ka një pozicion të hapur për të diskutuar ndryshimin e numrit të deputetëve, madhësinë e parlamentit dhe një sistem më efektiv qeverisjeje që ndërlidh më mirë deputetët me terrenin. Padyshim që ka vend për diskutim. Problemi që kemi pasur deri sot me këto komisione është se vetëm pas dy muajsh po arrijmë të mblidhemi dhe të biem dakord për të filluar bisedimet. Kërkesa ime në takimin e fundit të mërkurën ishte miratimi i planit të punës, por opozita kërkoi kohë deri të hënën, gjë që e pranuam. Megjithatë, çdo ditë që humbasim është një ditë e humbur drejt gjetjes së zgjidhjeve.
/vizionplus.tv





