Subscribe

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi guxoi këtë të enjte të vendosë flamurin kuqezi në tavolinë, përkrah atij serb. I pashqetësuar teksa mbante fjalimin, ai nxori flamurin serb si fillim për ta vendosur në tavolinë e më pas atë shqiptar.

“Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që e ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën e vet, përmes ligjit për minoritete”, tha Kamberi.

Kjo nxiti reagimin e kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili i kërkoi Kamberit ta heqë flamurin.

“Ne nuk kemi tolerancë për shkeljen e rregullave të procedurës, unë ju kërkoj ta hiqni flamurin”, tha Daçiq.

Për këtë reagoi edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Sipas saj, kjo tregon që Kamberi nuk dëshiron të flasë për problemet e brendshme.

“Unë me të vërtetë do të doja të flisja për gjëra më specifike. Nëse mendoni se keni të drejtën e flamurit tuaj, duhet të flasim për flamurin e një vendi tjetër, kjo do t’ju flasë aq shumë sa mendoni se ka probleme reale për banorët shqiptarë në Preshevë dhe Bujanovc”, tha Bërnabiq.

Kamberi pastaj tha se për të nuk ka çështje më të rëndësishme sesa identiteti. Në fund, ai e hoqi flamurin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *