Xhelal Mziu pyetet në SPAK, jep sqarime për dy tendera gjatë kohës kur ishte kryebashkiak i Kamzës
Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu u paraqit sot pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai u mor në pyetje për postin e tij paraardhës, si kryetar i Bashkisë Kamëz pas një kallëzimi të bërë ndaj tij prej këshillit bashkiak lidhur me dy tendera.
Diçka të tillë ai e konfirmoi edhe vetë, pasi doli nga Struktura Antikorrupsion, ku qëndroi përreth 60 minuta.
“Isha si person në dijeni, lidhur me një kallëzim të bërë nga këshilltarët bashkiakë për disa tendera të vitit 2019”, tha Mziu.
Sipas burimeve tenderat kanë të bëjnë me pastrimin e bashkisë së drejtuar prej tij.
Ka qenë prokurori i posaçëm Elvin Gokaj ai e thirri deputetin, që edhe ka në duar hetimet lidhur me këtë çështje.
Xhelal Mziu u mor në pyetje si person që ka dijeni mbi shkeljet e mundshme në Bashkinë Kamëz, ku ai shërbeu për 3 mandate radhazi nga 2007 deri në 2019. /vizionplus.tv




