Teksa raportoi në komisionin e ekonomisë për raportin vjetor, kreu i konkurrencës Denar Biba i kërkoi ligjvënësve ndryshime ligjore, që do ti jepnin autoritetit më shumë mundësi për të faktuar dyshimet për abuzimet që ndodhin në tregjet e vendit. Kërkesa konkrete ishte që ti jepej e drejta autoritet që të merrte edhe telefonat celularë menaxherëve të kompanive që janë nën hetim prej këtij autoriteti, por kjo kërkesë u paralelizua si një dëshirë e Denar Bibës për tu bërë si Altin Dumani.
“Dua të sqaroj që nuk është dëshirë e imja, pasi kjo kërkesë vjen në emër të institucionit. Realiteti na tregon që marrëveshjet e fshehta, sjelljet e koordinuara mes bizneseve nuk bëhen me shkresa që firmosen dhe vulosen. Ato bëhen edhe me telefon. Ndaj ne kërkuam që marrja e telefonit të ishte një nga rrugët për të provuar abuzimet e mundshme”, –tha Denar Biba në Vizion Plus
Por a është kjo një praktikë europiane apo një kërkesë shqiptare?
“Cilido që ka pikëpyetje të informohet se kjo është një praktikë 100% europiane. Çdo vend i Evropës i jep të drejtë autoritetit të konkurrencës që të marrë edhe telefonin e menaxherëve, kompanitë e të cilëve janë nën hetim për sjellje abuzive”, -sqaroi Biba
Sipas kreut të konkurrencës, integrimi në BE kërkon që edhe rregullat dhe ligjet të bëhen si në Bashkimin Europian. Tregjet e produkteve dhe shërbimeve në vendin tonë konsiderohen relativisht të vogla. Edhe pse me numër kompanish që operojnë këto tregje ato nuk quhen monopol, por fakti që dominohen nga 2-3 kompani tregon përqendrimin e lartë të tyre, për rrjedhojë dhe cenim të konkurrencës. /vizionplus.tv





