Rruga e fshatrave Xibër – Hane dhe Ketë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit është pothuajse e pakalueshme për shkak të dëmtimit të madh të saj. Mungesa e investimeve në këtë rrugë apo mirëmbajtja e tyre ka bërë që mes rrugës të hapen kanale e gropa të mëdha. Kjo rrugë përdoret edhe për t’u lidhur me Tiranën nëpërmjet njësisë Administrative Zall-Bastar, por prej muajsh ajo është lënë në mëshirë të fatit.

 

Por jo vetëm kaq, të njëjtin fat kanë patur edhe rrugët e brendshme të këtyre dy fshatrave siç është ajo që lidh lagjet ndërmjet tyre. Drejtuesit e mjeteve dhe banorë të zonës thonë se edhe pse ende nuk ka ardhur dimri, përdorin zinxhir në disa segmente pasi kalimi normal është i pamundur. Ata fajësojnë Bashkinë Klos e cila prej muajsh i ka lënë në harresë mijëra banorë të këtyre dy fshatrave.

 

“Edhe pse nuk ka borë e akull, në disa vende na duhet të përdorim zinxhir pasi furgoni e ka të mundur ngjitjen për shkak se xhiron. Prej muajsh askush nuk po vë dorë në këtë rrugë” – tha Isa Rama, drejtues mjeti.

 

Ndërkohë për banorin e fshatit Ketë, Gëzim Mata, pushteti vendor nuk po kujtohet për ta, duke i lënë në mëshirë të fatit.

 

“Nuk vjen askush të merret me rrugët. Kjo është mirë, por ka vende që është akoma edhe më keq. Pushtetarët kujtohen vetëm kur ka zgjedhje, më pas nuk shihen me sy. Rrugët kanë mbetur rrugëve që tani, imagjino kur të nisin shirat e bora, ne do të mbetemi të izoluar” – tha Mata.

Me nisjen e shirave të vjeshtës dhe stinës së dimrit, këto rrugë mund të bëhen totalisht të pakalueshme për çdolloj mjeti, nëse në to nuk ndërhyhet shpejt.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *