Demokratët zgjedhin sot drejtuesin e tyre të ri. Prej orës 08:00 të mëngjesit në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit. Procesi nisi normalisht në të 76 qendrat.
I pari që votoi nga radhët e katër kandidatëve ishte kreu aktual Lulzim Basha. Ai e cilësoi procesin zgjedhor si model ndërsa premtoi se do ta vazhdojë deri në fund betejën kundër regjimit Rama – Doshi.
“LULZIM BASHA
KANDIDAT PER KRYETAR TE PD
Procesi i zgjedhjes vlerë, janë vlerë e demokracisë konkurencës debatit, këto janë vlerat tona të demokracisë të shprehjes së lirë dhe të debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe me këto vlera do ta çojmë deri në fund betejën për rrëzimin e regjimit Rama –Doshi.”
Më pas, ishte Fatbardh Kadilli, ai që iu drejtua kutisë së votimit.
“FATBARDH KADILLI
KANDIDAT PER KRYETAR TE PD
Është një garë që u mbyll siç u nis e pabarabartë por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Ndeza kurajon. Manifesti për ta bërë partinë të pastër të hapur të bashkuar do vazhdojë. PD-së iu rikthye kurajo dhe guximi, kjo parti do të jetë e pastër, e hapur, e bashkuar dhe fituese.”
Pasi hodhi votën në njësinë numër 5, kandidatja në garë Edit’h Harxhi ngriti shqetësimin për parregullësi pasi shumë prej anëtarëve, sipas saj, nuk po gjejnë emrin në listë.
“EDIT’H HARXHI
KANDIDATE PER KRYETARE TE PD
procesi është me probleme të mëdha, anëtarësia është përgjysmuar. I bëj thirrje Bashës dhe kryesisë së PD dhe komisionit zgjedhor që ndjekin procesin, nëse demokratët nuk do të gjenin emrat në lista ky proces do të jetë fars për ne. Demokratët janë penguar të votojnë vetëm se u thuhet se nuk janë aktiv në PD, kjo nuk është normale, jam e sigurt që ata janë thirrur të votojnë më 25 prill për PD.”
Akuza për parregullësi dhe presione hodhi dhe Agron Shehaj. Ai tha se shumë prej vëzhguesve të tij janë përzënë me forcë nga ambientetet e votimit.
“AGRON SHEHAJ
KANDIDAT PER KRYETAR TE PD
“Në Durrës kanë shtuar një listë të re votuesish përveç listës që është dërguar nga selia qendrore në Tiranë. Votimet në PD kanë filluar me një standard demokratik shume të ulët. Iu bëj thirrje komisionerëve dhe drejtuesve të partisë të mos i kthejnë zgjedhjet në një farsë elektorale.”
Por, për kryetarin e komisionit Zgjedhor të PD, Jemin Gjana procesi po zhvillohet normalisht, ndërsa vëzhguesit janë larguar, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e vendosura më herët.
“JEMIN GJANA
KRYETAR I KOMISIONIT ZGJEDHOR, PD
Arsyeja ka qenë krejt e qartë, ose nuk kanë patur kartë anëtarësie, dhe nuk kanë qenë në listat e anëtarësisë së partisë, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër.”
Të drejtën e votës e kanë rreth 75 mijë anëtarë të PD, të cilët do të zgjedhin njërin mes katër kandidatëve: Lulzim Bashës, Agron Shehajt, Fatbardh Kadillit dhe Edit’h Harxhit.
Votimet po zhvillohen pranë degëve të Partisë Demokratike, ndërsa sipas udhëzimit, të gjithë anëtarët me të drejtë vote duhet të zgjedhin vetëm njërin prej kandidatëve pasi në të kudnërt vota do të cilësohet e pavlefshme.
Të përjashtuar nga ky proces sipas Komisionit zgjedhor të PD, janë të gjithë anëtarët që kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit.
Procesi i votimit do të mbyllet në orën 19:00 nëdrsa rezultati do të shpallet ditën e hënë.