Stuhitë dhe reshjet e shiut që përfshinë vendin gjatë natës kanë sjellë dëme të mëdha në Pukë.
Si pasojë e erës së fortë, çatia e spitalit “Elez Selimi” u shkatërrua e gjitha duke bërë që gjatë mesnatës të bëhej evakuimi i pacientëve nga repartet e patologjisë dhe pediatrisë.
Stuhia gjithashtu ka lënë banorët në Pukë pa energji elektrike, ndërsa ka pasur edhe rrëshqitje dherash në akset rrugore.
Mijëra banorë në Bulqizë po ashtu janë pa energji elektrike. Gurë dhe shkëmbinj të shumtë ranë në rrugën nacionale Skuraj – Burrel duke bllokuar qarkullimin në segmentin e Shkopetit.
Drejtuesve të mjeteve të vogla ju është dashur të qëndrojnë për rreth 1 orë të bllokuar për shkak të gurëve të mëdhenj.
Në Shkodër ka pasur reshje bore, por akset janë të hapura për qarkullim. Në Bogë-Theth dhe në Hani i Hotit-Tamarë ka pasur reshje më të shumta dhe mjetet borëpastruese janë në terren hapur rrugën.
Moti i keq ka përfshirë edhe rajonin e Durrësit. Për shkak të kësaj situatë është pezulluar dalja në det e flotës së peshkimit. Ndërsa tragetet me Italinë kanë vijuar normalisht.
Sipas institutit të Gjeoshkencave dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet do të vijojnë sidomos në Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan./vizionplus.tv





