Dita e parë e muajit shkurt ka nisur me reshje të dendura të dëborës në qarkun Dibër. Trashësia në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 10 cm, ndërsa në zonat e thella deri në 30 cm.

 

 

DRITAN KURTI – GAZETAR

 

Ndonëse temperaturat nuk janë shumë të ulëta reshjet pa ndërprerje kanë bërë që rrugët rurale të kalohen me shumë vështirësi dhe gati të bëhen të pakalueshme nga ora në orë.

 

Si pasojë janë shkaktuar probleme të shumta në qarkullimin e mjeteve në akset nacionale. Bypassi në Qafën e Murrizit u bllokua pasi kalimi i automjeteve është i pamundur. Katër borëpastruese ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e së këtij segmenti të rrugës së Arbrit.

 

Policia Rrugore apelon që të gjithë shoferët që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas, të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz, deri në hapjen e rrugës së Arbrit që të mos shkaktojnë trafik.

 

Ndërkohë, në aksin Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës, Peshkopi – Draj Reç – Kukës dhe atë Peshkopi – Librazhd kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Vështirësi në lëvizjen e mjeteve ka dhe në zonën e Bulqizës. Edhe pse rrugët janë të hapura, përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm.

 

LEFTER ALLA – KRYEBASHKIAK I BULQIZES

 

Ekipet janë në terren. Aktualisht rrugët janë të kalueshme. Në akset Shupenz Ostren, Bulqizë Martanesh të kalueshme janë me zinxhir.

 

Ndërkohë, në juglindje të vendit të gjitha akset nacionale janë të kalueshme më përjashtim të atyre rurale, ku rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

 

 

TONIN FRROKU – GAZETAR

 

Reshjet kanë shkaktuar kryesisht probleme në zonat malore. Në fshatrat e njësisë administrative të Pogradecit ka probleme. Probleme ka dhe në fshatrat e njësisë administrative të Vithkuqit.

 

Nga ana tjetër, disa fshatra të bashkive Maliq e Pogradec po përballen me mungesën e energjisë elektrike prej afro 24 orësh.

 

 

NAMI QOSE

ADMINISTRATOR I NJESISE ADMINISTRATIVE GORE, MALIQ

 

Jemi në gatishmëri. Probleme ka pasur në katër fshatra me energjinë elektrike. Ndërkohë është nisur një grup elektricistësh.

 

Ndërkohë, në qarkun e Kukësit situata paraqitet normale dhe nuk raportohet për probleme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *