Seanca e sotme plenare nisi me 1 minutë heshtje në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja që u vra gjatë ushtrimit të detyrës të hënën.
Por heshtjen e pasoi debati i ashpër për përgjegjësitë që duhen mbajtur për këtë ngjarje të rëndë.
Partia Demokratike kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu.
“Është e papranueshme që gjyqtari të vritet në sallën e gjyqit teksa lexon vendimin e tij gjyqësore. Ministrja gënjeu se policia nuk ka detyrime për garantimin e sigurinë në institucione. Sipas legjislacionit është detyrë e policisë së shtetit që të garantojë sigurinë në institucionet e drejtësisë. KLGJ iu nxori zbuluar ku kërkonte mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe policia refuzonte. Kjo çështje nuk mund të kalojë si një ngjarje dite apo jave. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të japë shpjegime për masat e sigurisë”, tha Gazment Bardhi.
Përgjigje nga pala qeverisëse ktheu ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili akuzoi opozitën se po shfrytëzon ngjarjen për kapital politik.
“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik dhe të bësh retorikë, politikisht mbi një vrasje është e rëndë, akoma nuk janë bërë të 7. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur nga daljet në ballkon, që keni sharë e telendisur SPAK e SKRAP, çdo të hënë, nga altin dumani, Altin Troplini, këto janë akuzat dhe gjuhet e urrejtjes që keni ngjallur ndaj gjyqësorit. Keni ndërsyer militantët, mos bëj zhurmë, unë flas këtu si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë. Nuk e keni lënë prokuror, keni anatemuar parterët startegjikë, ambasadorin e SHBA, Unionit, vetëm se mbështetën reformën në drejtësi dhe keni gojë të flisni. Ca është kjo, s’keni turp, prandaj u kanë lënë shqiptarët aty ku ui kanë lënë”, tha Lamallari.
Pas kësaj, Partia Demokratike tha se duhet të dorëhiqet edhe vetë Lamallari sepse sistemi ka dështuar, ndërsa Flamur Nokës iu hoq e drejta e fjalës për shkak të gjuhës së përdorur.




