Protesta e qytetarëve kundër projektit të Zvërnecit është kthyer në kryefjalë të seancës parlamentare. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kërkoi praninë në sallë të Kryeministrit Rama.
“Unë mendoj se vazhdimi me çështje të tjera në këtë Parlament, pa ardhur Rama këtu, për mocion me debat, është një akt sa tradhtie aq edhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë. Nuk keni të drejtë të injoroni qindra mijëra qytetarë që kanë 18 ditë me flamurin e ligjit në dorë, duke sakrifikuar orë të tëra. Se kush tregohet fashist tani, ju apo ata, këtë e diktojnë dhe e lë të gjykohet nga qytetarët”, tha Berisha.
Berisha akuzoi Ramën se po përdor bandat kriminale për të frenuar protestat.
“Ju keni vendosur t’i zgjidhni me kërcënime, duke marrë bandat. Paralajmëroj urgjent hetim parlamentar. Larg duart nga protesta, zëri i qytetarëve nuk mposhtet kurrë. Pastaj do ikni si minjtë”, tha Berisha.
Përgjigjen ia dha kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili i rikujtoi se ndër kërkesat e protestuesve është edhe burgosja e vetë Sali Berishës.
“I fundit që mund të flasë për protestuesit është ky pelikani këtu. Nëse do të zbatosh atë që unë të ftoj, Sali Berisha, sot pasdite shko në protestë. Shkon dot në protestë? Provoje po ta mbajti. Unë kam bërë një kallëzim për ty. Kam kontribuar. I ftoj protestuesit ta marrin në shqyrtim”, tha Balla.
Deklaratat e Ballës, sollën reagimin e demokratëve.
Pas debateve, deputetët rrëzuan me 79 vota kundër kërkesën për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për protestat për çështjen e Zvërnecit.





